Gjergj Vyshka 10.02.2017 13:45
Janë rifreskuar kompetencat sportive, por ashtu sikurse në rastin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Federatave Sportive, të reja, apo ekzistuese, u është lë një afat 60-ditor për miratimin e statuteve, sepse kështu rritet autonomia dhe demokracia e tyre. Madje kanë qenë ngërç për mirëfunksionim, ndërsa rasti më klasik i mosfunksionimit të statutit, i mbetur pandryshuar që nga 2008-ta, ishte Federata Shqiptare e Skive.
Në ligjin e ri janë të ndara të drejtat e sportistit dhe trajneri. Po kështu kategoritë e sportistëve, apo dhe fakti që trajnerët do të jenë të licencuar nga Federatat përkatëse. Për sportistët e nivelit të lartë do të ketë kritere për mbështetjen e stimulimin e tyre. Tek klubet në organizimet sportive janë të përcaktuar rastet e ndalimit të fishekzjarrëve dhe armëve, afati kohor për lajmërimin e forcave të rendit, marrja e oficerit të sigurisë për ekipet kombëtare, ndalimi i personave me precedent penal nëpër mjediset sportive.
Si dhe masat administrative. E në këto kushte, kur Ministria e Arsimit dhe Sportit ka bërë të ditur se ky projektligj nuk prek buxhetin e këtij vit, Ligji i ri i sportit pritet ta ndryshojë krejtësisht pamjen e sportit shqiptar. Të paktën në parim e funksionim…
Ata që punuan për Ligjin
Për hartimin e këtij projektligji kontribuoi Drejtoria e Sportit, Drejtoria e Shërbimeve Juridike në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Federatat Sportive, Universiteti i Sporteve të Tiranës.
Gjithashtu ky projekt ligji është konsultuar nga Zoran Verovnik, ekspert slloven në fushën e legjislacionit sportiv, i ftuar prej Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe nga Këshilli i Lartë i Sportit, anëtarë të së cilit janë përfaqësues të KOKSH, Universitetit të Sporteve të Tiranës, Federatës së Futbollit, figura të shquara në fushën e sportit, përfaqësues të komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, juristë dhe gazetarë…