Gjergj Vyshka 10.02.2017 07:55
Ka qenë disi e vështirë zbardhja dhe marrja e rezultateve të javës së 6-të të basketbollit për të rinj dhe për të reja. Shkaku ka qenë sherri masiv që ka ndodhur në Durrës në ndeshjen e të rinjve Teuta-Tirana, e cila tashmë është 0-20 në tavolinë, si dhe 6 lojtarë (tre për secilën skuadër) të dënuar 6 muaj dhe Pashaj për Tiranën 1 vit.
Por përtej kësaj, Tirana është gjobitur sepse ka luajtur me të njëjtat uniforma që kishte dhe kundërshtari, kurse Teuta për mosmarrjen e masave organizative të ndeshjes.
E tashmë, përtej shumave të vendosura sipas rregullores, ajo që është bërë e qartë dhe nga Komisioni i Disiplinës është fakti se duke qenë këto skuadra me të njëjtin emër të shoqatës, atëherë si Teuta, ashtu dhe Tirana nuk mund të luajnë tek të rriturit pa shlyer gjobat e ardhura nga Disiplina.
Pra ndeshjet e sotme, Ardhmëria Basket-Teuta dhe Kamza Basket-Tirana për këto gjoba mund të jenë në pikëpyetje për zhvillim.