AlbanianSport.com 09.02.2017 19:55
ASNN – Oreksi vjen duke ngrënë, thotë një fjalë e urtë popullore dhe, pas pjesëmarrjes historike të Kombëtares kuqezi në një fazë finale, siç ishte ajo e Evropianit “Francë 2016” dhe e Skënderbeut në fazën e grupeve të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës, tanimë futbolli shqiptar synon “të bëjë gol” edhe në aspektin administrativ.
Kështu, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka është zyrtarizuar sonte si kandidaturë për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Sikundër e ka konfirmuar edhe vetë Duka në një postim të shkurtër në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, emri i kreut të të futbollit shqiptar është zbuluar sot nga Komiteti Ekzekutiv aktual mes 13 kandidatëve që do të jenë për 8 vende.
Kjo është hera e parë në historinë e futbollit shqiptar që një përfaqësues i futbollit mund të jetë pjesë kryesore e organizmit më të lartë të futbollit evropian, si UEFA. Zgjedhjet do të zhvillohen më 5 prill 2017 në Helsinki dhe presidenti Duka do të jetë një kandidat potencial për këtë post. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është organi më i lartë i organizmit që qeveris futbollin kontinental.
Ai përbëhet nga 16 anëtarë përfshirë këtu edhe Presidentin. Mandati i secilit anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, është 4-vjeçar dhe është i ndarë në dy grupe me nga 8 anëtarë, të cilët zgjidhen çdo dy vjet, ndërkohë që secili nga kandidatët ka të drejtën e rikandidimit. Roli i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është shumë i rëndësishëm për të marrë vendime që kanë të bëjnë me rregulloret dhe është pikërisht ky Komitet që administron UEFA-n.
Ja lista e plotë e kandidatëve:
Zbignjev Boniek (Poloni), Kairat Boranbajev (Kazakistan), Xhon Delanej (Irlandë), Armand Duka (Shqipëri), Dejvid Xhill (Angli), Reinhard Grindel (Gjermani), Marios Lefkaritis (Qipro), Elkhan Mamadov (Azerbajxhan), Karl-Erik Nilson (Suedi), Kieran O’Konor (Uells), Mikele Uva (Itali), Mikael van Praag (Holandë) dhe Servet Jardëmxhë (Turqi).