Gjergj Vyshka 12.11.2014 17:55
Eni Imami, mesfushori i majtë i Dinamos, kishte së paku një vit pa shënuar gol. “Që nga koha që kam qenë në Zvicër, – ka zbuluar ai. – Sigurisht që jam ndjerë mirë, sepse kam hapur serinë e golave në ndeshjen ndaj Shkumbinit. Nuk dua të merrem nëse kam qenë në pozicion jashtë loje, apo jo.”
“Por më erdhi mirë që goli im vlejti dhe i dha fitoren Dinamos”, vijon Imami për “Gazetën e Sportit”. Sipas mesfushorit, Dinamo e ka në dorë vetë nëse do të mbajë kryesimin, apo të ngjitet në Kategorinë Superiore. “Kategoria e Parë është e vështirë, – ka pohuar i riu i bluve.
“Aq më tepër që janë të gjitha skuadra, të cilat luajnë me forca të shumta nga pas dhe janë të vështira për t’u çarë, – ka theksuar mesfushori. – Jo vetëm kaq, por dhe cilësia e fushave lë shumë për të dëshiruar, ndërsa këto kundërshtarë bëhen të vështirë dhe për faktin se luajnë rëndë.”
“Ne shpresojmë që të vazhdojmë me këtë ecuri dhe ta ngjisim Dinamon në Superiore. Skuadra ka kualitete brenda, ndërsa shpresojmë që të gjithë së bashku të bëjmë atë Dinamo të madhe që kërkojnë dhe tifozët”, – ka përfunduar futbollisti i bluve kryeqytetas, Eni Imami.