AlbanianSport.com 08.02.2017 15:30
ASNN – Partizani është shpallur të mërkurën fitues i Kupës së Shqipërisë në futboll për Nën-19-vjeçarët, pasi ka mundur Flamurtarin me rezultatin 1-0. Në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, të dyja skuadrat kanë dhuruar lojë dhe emocione, por në fund ka vendosur goli i kapitenit të Partizanit, Bajramaj.
Është zhvilluar të mërkurën finalja e Kupës së Shqipërisë në futboll për Nën-19-vjeçarët dhe Partizani ka mundur minimalisht Flamurtarin, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke e bërë të vetëm këtë trofe. Në fakt, pjesa e parë është intensifikuar midis minutës së 25-të dhe asaj të 35-të, kur fillimisht Partizani ka rrezikuar me një goditje jashtë zone.
Ndërsa Flamurtari kundërpërgjigjet me një tjetër goditje jashtë zone, por është vetëm shtylla e djathtë pingule ajo që u mohon vlonjatëve golin. Atë që nuk e bën dot Flamurtari, e bën Partizani në minutën e 33-të, kur kapiteni Bajramaj finalizon zgjuarsisht një aksion të skuadrës së tij dhe përshëndet rrjetën. Me epërsinë njëgolëshe të Partizanit do të mbyllen 45 minutat e para të kësaj sfide.
Ndërsa ato të dytat do të jetë po aq të bukura dhe të mbushura me emocione. Fillimisht është Partizani që rrezikon të dyfishojë epërsinë, por portieri vlonjat reagon bukur, ndërsa në minutën e 54-t, është Zaganaj që shpërdoron një rast të pastër për Flamurtarin për të barazuar shifrat. Një tjetër rast i mirë për Partizanin vjen 9 minuta më pas.
Por Flamurtari kundërpërgjigjet në minutën e 67-të, kur, pas një goditjeje të lirë, Biba godet mjeshtërisht, por po aq mjeshtërisht reagon edhe portieri Dajsinani, i cili e shtyp topin në shtyllë dhe jashtë për një goditje këndi. 6 minuta më pas është Partizani që shkon dëm një tjetër rast për shënim. Mbyllet kështu me fitoren e Partizanit kjo finale dhe skuadra e trajnerit Ylli Shehu fiton trofeun e dytë të futbollit të kësaj grupmoshe.