AlbanianSport.com 08.02.2017 13:20
ASNN – Para 3 vitesh, e kishte mbyllur karrierën ndërkombëtare në mënyrën më të mundshme, duke ngritur lart atë trofe të çmuar dhe duke u kurorëzuar “kampion” i planetit në përfundim të një Botërori të jashtëzakonshëm si ai “Brazil 2014”. Ndërsa të martën në mbrëmje, ai ka bërë të ditur një tjetër vendim të rëndësishëm.
Kapiteni i Bajernit të Mynihut, Filip Lahm, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur në fund të këtij sezoni. Ai e ka bërë të ditur vendimin e tij për të varur pas pak muajsh “këpucët” në gozhdë, edhe pse ka një kontratë me gjiganden bavareze deri në fund të vitit 2018.
Duhet theksuar se, në fundjavë, futbollisti shtatshkurtër luajti ndeshjen e 500-të me fanellën e Bajernit. “Do të tërhiqem në fund të sezonit”, – ka thënë mbrojtësi në konferencën për shtyp të martën në mbrëmje, pasi Bajerni mposhti Volfsburgun në Kupën e Gjermanisë.
33-vjeçari, i cili ka fituar edhe Botërorin me Gjermaninë, po synon sivjet titullin e 8-të të kampionit të Bundesligës, ndërsa mbyllja më e mirë do të ishte padyshim finalja e madhe e Ligës së Kampioneve në Kardif.