AlbanianSport.com 08.02.2017 10:05
ASNN – Ishte e pashmangshme që, për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet, do të vinin në këtë pikë. dhe, tashmë, midis Tiranës dhe tifozerisë bardheblu duket se marrëdhëniet janë ftohur përfundimisht dhe gjërat janë në një rrugë pa kthim.
Nëpërmjet profilit të tyre në rrjetin social “Facebook”, grupimi më i madh i organizuar i tifozerisë bardheblu “Fanatics”, i cili ka ndjekur prej vitesh skuadrën kudo, ka sqaruar mungesën e tyre në këto ndeshje nëpër stadiume.
Sipas tyre, kjo ka ardhur në shenjë proteste për vendimin që ka marrë presidenti Refik Halili për të lejuar edhe Partizanin të zhvillojë ndeshjet në fushën e vet pikërisht në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
Po në këtë njoftim, ata theksojnë se nuk do të jenë më të pranishëm në ndeshjet e Tiranës, deri në dorëheqjen e presidentit aktual, Halili. Një kusht ky që e përkeqëson mjaft marrëdhënien e tifozëve me klubin.
Kjo është një nga situatat më të vështira të skuadrës me më shumë trofe në Shqipëri, e cila përveç problemeve sportive me mungesa lojtarësh e me shumë dëmtime, tashmë në momentin më të vështirë të kampionatit i mungon edhe “lojtari i 12”, tifozeria, që ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e ndeshjeve.