Gjergj Vyshka 08.02.2017 09:00
U është tërhequr vëmendje të gjitha shoqatave anëtare të basketbollit shqiptar për paraqitjen e relacioneve në mënyrë objektive, në të kundërt s’merren parasysh. Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Basketbollit, me kryetar Fation Mati dhe anëtarë Arben Kaçurrin, Sajmir Shatkun dhe Besmir Iljazin, ky i fundit ka munguar në mbledhjen e djeshme, është shfaqur me dorë të rëndë për sherrin masiv të ndodhur në ndeshjen e të rinjve Teuta-Tirana.
Ashtu sikurse është paraqitur në “Sport Ekspres”, jo vetëm ditën e sherrit, por dhe një ditë më pas, mes prononcimeve të trajnerit të Tiranës, Melsin Lazimi, dhe atij të Teutës, Sokol Hyseni, ndeshja për shkak të këtyre problemeve është ndërprerë në rezultatin 55-72. Sherri masiv mes lojtarëve, ku të paktën sipas vendimit të djeshëm të Komisionit të Disiplinës protagonistë për fat të keq kanë qenë basketbollistët e Tiranës, pavarësisht se ekipi i tyre ka qenë në fitore, ka sjellë dhe hyrjen e tifozëve në fushë.
Ndaj dhe Komisioni i Disiplinës e ka parë të arsyeshme të pezullojë 6 lojtarë për 6 muaj, 3 nga Tirana dhe 3 nga Teuta, si dhe Pashajn, si iniciator dhe realizues i sulmit fizik ndaj kundërshtarit, për një vit. Të gjitha vendimet janë shoqëruar dhe me gjoba, ndërsa Teuta e ka humbur ndeshjen në “tavolinë”, është pezulluar fusha dy javë pa spektator, kurse Tirana është gjobitur sepse ka luajtur me fanella me të njëjtën ngjyrë me kundërshtarin jashtë çdo rregullore të basketbollit shqiptar.
Por Komisioni i Disiplinës, nisur nga ky rast, i ka tërhequr vëmendjen të gjitha shoqatave që të jenë objektiv në relacionet e tyre. “Sepse, – thuhet në vendimin e Komisionit të Disiplinës, – duke marrë shkak nga relacionet e paraqitura në këtë rast, atëherë tërheqim vëmendjen dhe vërejtje për të gjithë që relativet të jenë sa më korrekte e më objektive. Madje duhet të zbatojnë rregulloren, sepse bashkëlidhur me relacionin të jetë dhe mandati i pagesës sipas rregullores.”
“Në të kundërt relacionet nuk do të merren parasysh”, – shton vendimi. Dhe Komisioni i Disiplinës ka treguar se ky vendim shumë shpejt do të dalë dhe më i argumentuar. E ndërkohë, nga burime të sigurta pranë Komisionit të Disiplinës, është lënë taksative që si Teuta, ashtu dhe Tirana nuk mund të luajnë pa bërë pagesat e gjobat, ndërsa lojtarët aktivizohen pasi të kenë mbaruar dënimin e përjashtimit dhe të kenë bërë pagesën e gjobës.
Sepse ndryshe nuk do të ketë vlerë asgjë. E në këto kushte, pas ngjarjes së ndodhur tek Vllaznia-Tirana për të rritur, ky është rasti i dytë, tashmë për të rinj, që Komisioni i Disiplinës tregohet me “dorë të rëndë”. Sigurisht e mira do të jetë që edhe në rast apelimi ky vendim të mos preket, sepse në të kundërt nuk ndihmohet pastërtia e lojës së basketbollit në parket. Pasi koshi shqiptar nuk ka nevojë për ta kthyer parketin në “arenë boksi”, sidomos tek moshat, sepse nuk ndihmohet askush.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës, 7 shkurt 2017
1) Shoqata e basketbollit Tirana, për paraqitje në fushën e lojës me uniforma jo sipas kërkesave të rregullores të FSHB-së, që janë bërë shkak për zhvillimin jo normal të ndeshjes, në bazë të nenit 12, pika 5 të Rregullores së Disiplinës dënohet me 20.000 lekë gjobë
2) Shoqata e basketbollit Teuta, si ekip organizator, për mungesë të masave të duhura të organizimit të ndeshjes, në bazë të nenit 13, pika 8/h të Rregullores së Disiplinës, dënohet me humbjen e ndeshjes aforfe, zhvillimin e dy ndeshjeve pa spektator dhe 200.000 lekë gjobë
3) Lojtarët A. Boriçi, G. Hoxha dhe K. Ismailaj të Tiranës, E. Plaku, E. Shehi dhe R. Sadiku të Teutës, bazuar në nenin 14.17 të Rregullores së Disiplinës, dënohen me gjashtë muaj përjashtim nga aktiviteti dhe 50.000 lekë gjobë
4) Lojtari K. Pashaj i Tiranës për inicim dhe realizim të sulmit fizik, me pasoja jo të rënda për viktimën, bazuar në nenin 14.21 të Rregullores së Disiplinës, dënohet me 1 vit përjashtim nga aktiviteti dhe me 100.000 lekë gjobë
Palët e prekura nga ky vendim mund ta apelojnë atë pranë Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Basketbollit brenda pesë ditëve nga data e vendimit