Nga Gjergj Vyshka 08.02.2017 07:55
Finalja e Kupës së Shqipërisë në futboll për të rinj mes Flamurtarit e Partizanit, që sot do të zhvillohet në ora 13:00 në Stadiumin “Elbasan Arena” e ka afruar me 30 minuta nisjen e Kampionatit Dimëror Individual të Atletikës. Kështu ka lajmëruar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, ndërsa për këtë arsye Kampionati Dimëror do të nisë në ora 10:30.
Sepse, sipas tij, ka përplasje në orar. Vetë logjika e ndeshjes së futbollit, e cila nis në ora 13:00 do të thotë që në 12:30 skuadrat duhet të zbresin në fushë për nxemje. Jo vetëm kaq, por sipas rregullores duhet të jenë në stadium një orë e gjysmë përpara, çka i bie 11:30 dhe dhomat e zhveshjes e të gjitha mjediset e stadiumit do të jenë për dy ekipet dhe gjyqtarët, apo dhe të deleguarin e vëzhguesin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Shtuar dhe interesin e publikut, atëherë stadiumi do të merret në ruajtje dhe nga forcat e rendit, ndërsa në pistë, ashtu sikurse bëhet në çdo ndeshje kombëtare e ndërkombëtare, do të jetë dhe autoambulanca e zjarrfikësja. Pra në të gjitha këto gjëra të parashikuara për futbollin, atletika, edhe pse e ka marrë që një javë më parë Stadiumin “Elbasan Arena” për Kampionatin Dimëror, duket sikur është jashtë loje.
Ka pranuar ta afrojë me 30 minuta nisjen e Kampionatit Dimëror, jo më në ora 11:00, por në 10:30 e prapë duket si e pamundur që kjo garë të shkojë normalisht. Sepse është parashikuar në program, me të gjitha oraret e vendosura për disiplinat, që të përfundojë për dy orë e gjysmë. Krejtësisht një situatë anormale, por atletika ka vendosur që kampionatin ta bëjë të mërkurën, mund dhe ta kishte shtyrë për një ditë për hir të futbollit, duke nisur nga ora 10:30.