AlbanianSport.com 06.02.2017 17:05
ASNN – Kampionati Kombëtar Individual Dimëror dhe Krosi Kombëtar janë dy veprimtaritë e para të vitit 2017 për atletikën shqiptare. Kampionati Kombëtar Individual Dimëror, që është me të njëjtin program që zhvillohet Ballkaniada dhe Evropiani i Sallave të Mbyllura, do të zhvillohet, si gjithnjë në Stadiumin “Elbasan Arena”, më 8 shkurt 2017.
Federata Shqiptare e Atletikës ka lajmëruar të gjitha klubet anëtare të saj se në fund të Kampionatit Kombëtar do të bëhet dhe mbledhja teknike, e cila do të përcaktojë kandidatët për Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura. Ai do zhvillohet në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, më 25 shkurt 2017. E më pas miratimi i tyre do të bëhet nga Komiteti Drejtues.
Ndërkaq është lajmëruar se do të jetë një numër i reduktuar pjesëmarrësish. Kjo sepse të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga Federata Shqiptare e Atletikës. Sakaq më 12 shkurt, tek Kodrat e Liqenit Artificial në kryeqytet, do të zhvillohet dhe krosi kombëtar. Këto janë dy veprimtaritë e para kombëtare, që do të ndiqen, më pas, një mori veprimtarish ndërkombëtare, të atletikës për vitin 2017.