AlbanianSport.com 06.02.2017 17:05
ASNN – Dy medalje që kanë fituar ditët e fundit xhudistet e Kosovës janë një ogur i mirë për kthim të mbarë në veprimtarinë ndërkombëtare. Në fundjavë, në Sofje të Bullgarisë u mbajt Turneu Ndërkombëtar “European Judo Open”, ndërsa Nora Gjakova e Distria Krasniqi ia dolën të fitojnë medalje të bronzta.
Nora zuri vendin e tretë në kategorinë e peshës trupore deri në 57 kilogramë, ndërsa Distria në atë të peshës trupore deri në 52 kilogramë. Siç ishte njoftuar më parë, në Sofje nuk garoi kampionia olimpike Majlinda Kelmendi, ndërsa Fjolla Kelmendi në kategorinë e peshës trupore deri në 48 kg dhe Loriana Kuka, në kategorinë e peshës trupore deri në 70 kg, u mundën që në ndeshjet e para.
Nora, Distria e Fjolla garuan të shtunën, ndërsa Loriana të dielën. Për këtë të fundit ishte gara e parë për Kosovën. Atë e mposhti japonezja Jukiko Uno. Japonezja tjetër, Mai Umekita, mposhti Fjolla Kelmendin. Ndërkohë, Nora Gjakova erdhi duke u renditur e para në listën paraprake në kategorinë e peshës trupore deri në 57 kilogramë.
Ajo e fitoi ndeshjen e parë ndaj një izraeliteje, ndërsa më pas u mposht nga francezja Sara Harashi. Megjithatë, duke vijuar nëpër formulës së garës së humbësve, Gjakova, arriti dy fitore dhe fitoi medaljen e bronztë. Jo keq, po të mbahet parasysh se Nora është duke u kthyer pas një operimi në gju.