Gjergj Vyshka 06.02.2017 16:10
Anton Qafarena nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë në volejboll për meshkuj. Që nga mesi i javës së kaluar, shtatlarti shkodran, i cili qe bërë pjesë e Studentit sezonin e kaluar në “Challenge Cup” në përballjet me serbët e Spartak Ljig, gjendet në Gjermani. Ai është bërë pjesë e skuadrës së Bundesligës, TV Buhl. “Kam nënshkruar një kontratë me këtë ekip me një afat prej dy-tre vjetësh”, – ka pohuar ai.
“Është bërë shkas një miku im, i cili nuk ka lidhje me sportin, por që njihte trajnerin e ekipit, – ka vijuar volejbollisti shkodran. – Madje trajneri ka qenë i interesuar për mua që të vihej lidhja mes meje dhe drejtuesve të ekipit. Dhe tashmë është gjithçka konkrete. Më kanë pritur jashtëzakonisht mirë.”
“Kam mbështetjen e të gjithë drejtuesve të ekipit e të lojtarëve njësoi sikur të isha në Shkodër, prandaj ndihem jashtëzakonisht mirë”, – ka përfunduar Anton Qafarena për “Sport Ekspres”, ndërsa është i pari lojtar i kampionatit shqiptar të meshkujve që largohet jashtë vendit.
Një piacë e lartë për të, sepse bëhet fjalë për një aktivizim në Gjermani, çka nuk do të jetë pak, ndërsa do të jetë dhe pjesë e kombëtare për Ligën e Evropës. E kështu Anton Qafarena bëhet vlerë e shtuar e volejbollit shqiptar.