AlbanianSport.com 06.02.2017 15:15
ASNN – Ajo është padyshim skuadra më në formë e nivelit të dytë të Kampionatot Kombëtar të Futbollit dhe sot ka korrur fitoren e 13-të në 14 ndeshje, duke e parë gjithnjë e më qartë ngjitjen në Kategorinë Superiore.
Ajo është Kamza, e cila ka bërë detyrën e radhës në Grupin A të Kategorisë së Parë, duke fituar sot ndeshjen e fundit të javës së 14-të me rezultatin 3-0 ndaj Mamurrasit, për t’u shkëputur më tej në kreun e renditjes.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Bledar Devolli ka dominuar me lojë që nga minuta e parë, deri në të fundit dhe, vetëm pasaktësia para porte e sulmuesve të saj, bëri që pjesa e parë të mbyllej me epërsinë minimale, 1-0, falë golit të Ymerajt në minutën e 12-të.
Në pjesën e dytë, Koleci arriti të dyfishonte shifrat në minutën e 54-t të ndeshjes, ndërsa rezultati përfundimtar u vulos nga Çekiçi, që realizoi 3 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Kamza kryeson renditjen e Grupit A, me 39 pikë, e ndjekur nga Besëlidhja, me 31, Erzeni 25, Burreli 24, Shënkolli 20, Besa 16, Kastrioti 13, Mamurrasi 12, Iliria e Fushë-Krujës 10 dhe Tërbuni 6.