Gjergj Vyshka 06.02.2017 11:35
Trajneri i Teutës për të rinj: “Në Polici nuk është dërguar asnjë tifoz durrsak, përkundrazi dy njerëzit e shoqëruar janë pjesë e bardhebluve”. Sherri masiv që ka ndodhur në ndeshjen Teuta-Tirana në basketboll për të rinj, që ka sjellë më pas ndërprerjen e takimit në pjesën e katërt në shifrat 55-72 për bardheblutë, ka pasur dhe reagime një ditë më pas.
Nëse ditën e sherrit nga “Sport Ekspres”-i është kontaktuar trajneri i Tiranës, Melsin Lazimi, i cili ka treguar se janë goditur lojtarët e tij që nga Kristian Pashaj, Gersi Hoxhën dhe Aurel Boriçin, dje ka reaguar trajneri i Teutës, Sokol Hyseni. Sipas tij ka një rregullore në basketbollin shqiptar që nuk lejon që skuadrat të jenë me uniformë të njëjtë në ngjyrë.
Për më tepër ekipi udhëtues duhet të ketë uniformën rezervë. Tekstualisht në rregulloren e lojës së basketbollit në nenin 4.3.3 thuhet: “Skuadrat duhet të kenë minimumi me vete dy uniforma. Skuadra vendëse duhet të jetë me fanella me ngjyrë të hapur, kurse udhëtuesit duhet t’i ketë të errëta. Mbi të gjitha nëse të dy skuadrat bien dakord dhe mund t’i ndërrojnë”.
“Në fakt, kemi bërë debate, por më pas, edhe në formë presionesh, jemi urdhëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, që duhet ta luajmë ndeshjen, – ka pretenduar Hyseni. – Sa për sherrin, nuk jemi ne ata që e kemi bërë. Përkundrazi në polici kanë shkuar pjesëtarë të Tiranës, njëri prej të cilëve është vëllai i Pashajit.”
“Ai, së bashku me një tjetër janë proceduar për prishje të rregullit në ndeshjen në Durrës, – ka vijuar trajneri durrsak. – Për më tepër mund të pyesni në Komisariatin e Durrësit. Jo vetëm kaq, por sot shefi i klubit shumësportesh “Teuta”, Kreshnik Leka, do të bëjë dhe një letër ndaj klubit “Tirana”, e cila është e detyruar të paguajë dëmshpërblimin për thyerjen e stolave rezervë.”
“Sigurisht që ne ishim në disavantazh dhe ndeshja po zhvillohej normalisht, por kurrsesi nuk ishim ne që e nisëm dhe bëmë sherrin. Gjithçka ka nisur nga Tirana”, – ka përfunduar trajneri i Teutës në basketboll për të rinj, Sokol Hyseni.