AlbanianSport.com 12.11.2014 17:05
Disiplina më e suksesshme sportive shqiptare në arenën ndërkombëtare, peshëngritje, ka shkruar një faqe tjetër të lavdishme, pasi Daniel Godelli, ka arritur rezultatin më të lartë në historinë e sportit tonë. Peshëngritësi shqiptar është shpallur “kampion bote”, duke marrë tri medalje, dy ari dhe një argjendi, në botërorin e shtangës që po zhvillohet në Almati të Kazakistanit. Me 369 kg në dygarësh Godelli është ngjitur në podiumin e nderit duke bërë që arenën e Almatit të ngrihet flamuri shqiptar dhe të dëgjohet himni kombëtar.
Daniel Godelli është kështu “kampion bote” në peshëngritje. Për herë të parë në historinë e sportit shqiptar, shtangisti kuqezi Daniel Godelli merr titullin më të lartë ndërkombëtar. Në konkurrimin në peshën 77 kg, në Botërorin e Peshëngritjes për Të Rritur, që po zhvillohet në Almati të Kazakistanit Daniel Godelli ka marrë tri medalje, dy ari dhe një argjendi. Në arenën e Almatisë, shtangisti shqiptar është ngjitur në podiumin e nderit në vendin e parë duke bërë që të ngrihet flamuri kuqezi dhe të ekzekutohet himni kombëtar.
Sportisti shqiptar me tre medalje në qafë, duke mbajtur falmurin kuqezi ka kënduar himnin kombëtar duke bërë krenar të gjithë shqiptarët me rezultatet e arritura. Në konkurrimin në peshën 77 kg, Godelli ka bërë një konkurrim të shkëlqyer, duke ngritur 171 kg, po aq sa kinezi Zhong, por për peshë trupore më të lehtë, peshëngritësi shqiptar fiton vendin e parë dhe medaljen e artë. Në shtytje, kampioni shqiptar pozicionohet në vendin e dytë me 198 kg duke marrë medaljen e argjendtë.
Dhe me rezultatin final në dygarësh prej 369 kg, ai ka marrë medaljen e dytë të artë, duke u shpallur automatikisht kampion bote. Në peshën 77 kg ka konkurruar edhe peshëngritësi tjetër shqiptar, kampioni në fuqi i Evropës, Erkand Qerimaj. Por gara e tij nuk ka rezultuar e suksesshme pasi ka dështuar në shtytje duke mos realizuar asnjë provë. Dhe vetëm me 158 kg në shkëputje është pozicionuar në vendin e pestë por pa mundur të klasifikohet në dygarësh. Kjo është hera e parë pas 42 vjetësh që Shqipëria merr një medalje ari në një Kampionat Botëror.
Më parë ka qenë Ymer Pampuri, i cili mori medalje ari në një nga stilet e sportit të peshëngritjes në Lojërat Olimpike “Gjermani 1972”.