Gjergj Vyshka 06.02.2017 08:50
Partizani në volejboll për meshkuj është përforcuar edhe me një tjetër lojtar të huaj. Përpara dy javësh pat marrë ukrainasin Stepashkin, i cili u aktivizua dhe në ndeshjen e së shtunës në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, atje ku të kuqtë fituan 3-0 ndaj Tiranës. Por nuk është mjaftuar me kaq skuadra e trajnerit Ylli Tomorri.
Tashmë është nënshkruar kontrata me kolumbianin Luis Meza, 21 vjeç, qendër dhe që në vazhdim do të jetë pjesë e ekipit. Madje duket se do të aktivizohet që të premten, teksa Partizani, sipas kalendarit, do të presë Vllazninë, në ora 19:00, në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
Me dy të huaj, ukrainasin Stepashkin dhe kolumbianin Meza, pa harruar Trokën, Çalin, Arapin, Gorenxën, Konon, Muçën, Kristi dhe Ledio Martiron, Kasën, Qerraxhinë, Meminë, Malajn, atëherë Partizani bëhet i pathyeshëm jo vetëm për “kampionat”, por dhe për Kupën e Shqipërisë.
Deri më sot, skuadra e drejtuar nga trajneri i mirënjohur, Ylli Tomori, numëron 12 ndeshje të luajtura, 12 fitore (9 në kampionat, 3 në Kupën e Shqipërisë), me 36 sete të fituara dhe vetëm dy të humbura. Ndaj Partizani, edhe me dy të huaj, bëhet i plotfuqishëm në volejbollin e meshkujve të Shqipërisë.