Gjergj Vyshka 06.02.2017 07:55
Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Të Rinj, pikërisht në javën e 6-të, është përfshirë në një sherr masiv, çka ka sjellë dhe ndërprerjen e ndeshjes në rezultatin 55-72 për Tiranën në pjesën e katërt. Gjyqtarët e ndeshjes, Erlambi Tiko dhe Dejvi Tafaj, duket se e kanë pasur të pamundur vazhdimin e takimit në kushtet kur në parket kanë zbritur dhe tifozët durrsakë, të cilët kanë goditur lojtarët e Tiranës. Sipas trajnerit të bardhebluve, Melsin Lazimi, Tirana edhe duke qenë në epërsi ka qenë më e qetë dhe nuk ka pasur arsye për të bërë sherr.
“Tifozët u futën në fushë, – thotë Lazimi, – janë goditur Kristin Pashaj dhe Gersi Hoxha, të cilët janë gjakosur në fytyrë. Ishim në 17 pikë diferencë dhe ishim krejtësisht të qetë. Në fushë kisha vetëm lojtarët rezervë dhe Pashajin. Përpara se të niste ky sherr, në pjesën e katërt, ka hyrë një tifoz durrsak, i cili ka goditur Aurel Boriçin, tifoz të cilin e nxorri policia jashtë”. Por si ka lindur sherri sipas Lazimit? “Konflikti lindi nga një faull ndaj Pashajit, – shpjegon ai, – ndërsa numri 11 i Teutës i bën faull agresiv me stërkëmbësh. U rrëzuan të dy dhe u çuan me shpejtësi dhe u afruan me njëri-tjetrin.”
“Dhe lojtari me numër 11 e godet me shpullë dhe më pas dhe numri 5, – vijon Lazimi. – Episodi ndodhi pranë stolit të Teutës. E direkt zbritën tifozët në fushë dhe janë goditur të gjithë lojtarët e Tiranës”. Lazimi mbron versionin që nuk ka goditur asnjë nga basketbollistët e Tiranës, megjithëse nga burime të tjera konfirmohet se lojtari me numër 11 dhe Pashaj janë goditur me njëri-tjetrin për të nisur sherri masiv. E në këto kushte ndeshja është ndërprerë.
Ajo që ka përbërë shqetësim e debate kanë qenë edhe uniformat në ngjyrë të njëjtë, por që ndeshja ka vijuar normalisht. “Uniformat ishin të njëjta, por të dallueshme. Kështu kemi luajtur dhe në Evropian me të rinjtë ndaj Anglisë, e përmban rregullorja”, – përfundon Lazimi. E tashmë do të jetë Komisioni i Disiplinës në FSHB që do të marrë vendimet përkatëse.