AlbanianSport.com 12.11.2014 16:15
ASNN – Polemika të mëdhaja pati ndeshja që Turbina e Cërrikut zhvilloi këtë fundjavë në Rrogozhinë. Ndeshja u mbyll në barazim 1-1, por është cilësuar e padrejtë nga drejtuesit e Turbinës, të cilët akuzojnë se është një karton i kuq i paqenë në fund të pjesës së parë për ta, ashtu sikurse dhe një penallti që ka qenë inekzistente.
Trajneri Belshi shprehet se gjykimi në këtë ndeshje ishte shumë i dobët. “Dhe ky lloj gjykimi na dënoi me barazim, ndoshta mund të kishim pësuar dhe humbjen, – ka thënë ai. – Por djemtë që unë drejtoj dhanë shpirtin në fushën e lojës për atë barazim.”
“Barazimi na largoi pak nga kreu i klasifikimit, por akoma jemi në garë për të arritur qëllimin tonë. Ajo që shpresojmë tani është që futbollin ta luajnë lojtarët në fushë pa ndërhyrjen e gjyqtarëve”, – ka theksuar Belshi.
Edhe lojtarët kanë qenë mjaft të pakënaqur nga barazimi dhe ndëshkimet e marra sa që në disa momente janë konfrontuar me kundërshtarët dhe janë krijuar situata të papërshtatshme për futbollin.
Ekipi tashmë është kthyer në stërvitje me një dëshirë më të madhe pasi s’duhet të ketë më hapa të gabuar, sepse pikët duhet të jenë të plota për marrjen e kreut të renditjes në grupin e Jugut.