Gjergj Vyshka 04.02.2017 12:05
Derbi i kryeqytetit midis Partizanit dhe Tiranës në volejboll për meshkuj, që është fituar nga të kuqtë me rezultatin 3-0, ka ulur siparin e një karriere të jashtëzakonshme, siç ishte ajo e Elton Tukseferit. 41-vjeçari me një karrierë mbi 20-vjeçare në volejbollin shqiptar, e ka mbyllur me 12 tituj kampion (2 me Tiranën dhe 10 me Studentin), si dhe 11 Kupa të Shqipërisë (1 me Tiranën dhe 10 me Studentin).
“Një vlerësim maksimal për të gjithë trajnerët e mi që nga Niko Stamo, Gjergj Pishtari, Skënder Qefalia etj, – ka thënë veterani gjatë ceremonisë së mbajtur në nderim të tij. – Por mbi të gjitha vlerësimi shkon për Ylli Tomorrin, sepse si ish-organizator më futi në atë rrugë. Kam qenë pak më i vogël se këto fëmijë që i shihni në parket (njëri prej të cilëve Joni i biri) dhe më i gjatë e këtu e kam nisur volejbollin.
“Ka qenë krejtësisht çimento kur luanim këtu e jo parket dhe ishte fat kur luanim e stërviteshin në fushat e zeza përpara kësaj salle, – ka vijuar Tukseferi. – Madje në këtë sallë edhe jam dëmtuar, kam fituar, kam humbur, kam marrë Kupa. Është ndër ato që lidhet shumë me karrierën time si volejbollist. Një mirënjohje të veçantë për trajnerët e mi që nga Niko Stamo, Gjergj Pishtari, Skënder Qefalia.”
“Por mbi të gjitha për Ylli Tomorrin, sepse si ish-organizator më futi në rrugën e duhur. E sot ia di për faleminderit. Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t’i them të gjithë faleminderit për gjithçka që dhamë bashkë”, – ka përfunduar Tukseferi. E fotografia e përbashkët mes të dy skuadrave, apo dhe veç e veç ka paraprirë ndeshjen Tirana-Partizani, ndërsa volejbolli tashmë ka rinisur veprimtarinë.