Gjergj Vyshka 12.11.2014 15:25
Ylber Zani largohet për të rinovuar pasaportën kanadeze, kthehet në profesion fazën e dytë. Ironia e trajnerit të dorëhequr: “Besoj se ai që do të vijë në krye të ekipit është i përgatitur”. Vetëm Zani për Gazeta e Sportit do të deklaronte: “U largova për të rinovuar pasaportën kanadeze, ndërsa më duhet të largohem të premten nga Shqipëria për tre javë.”
“Nuk ka ndodhur asgjë me drejtuesit e skuadrës, me të cilët kam pasur marrëdhënie të mira dhe mirëkuptim, – ka vijuar ai. – Do pres fazën e dytë të kampionatit për ndonjë pankinë tjetër. Kam punuar shumë për këtë ekip që sot Mamurrasi e ka kryesues. Besoj se ai që e ka gjetur ekipin të gatshëm do të jetë shumë më i përgatitur se unë dhe me më shumë kualitet.”
“Unë shoh tre skuadra pretendente për në Kategorinë Superiore. Megjithatë i uroj suksese Mamurrasit dhe shpresoj që shumë shpejt të jem në krye të këtij ekipi”, – pa përfunduar Ylber Zani. Kësisoj pas Adës dhe Veleçikut, Mamurrasi është pankina e tretë që rinovohet në Kategorinë e Parë, grupi i Veriut.
Të vetmit që nuk kanë lëvizur janë skuadrat e Jugut. Për histori tek Ada është larguar Besnik Duli ka ardhur Kreshnik Krepi. Tek Veleçiku ka ardhur Besnik Duli në vend të Kreshnik Krepit, kurse tek Mamurrasi ka ardhur Stavri Nica në vend të Ylber Zanit. Të tre trajnerët e larguar kanë bërë të njëjtin veprim, dorëheqje.