AlbanianSport.com 04.02.2017 18:25
ASNN – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila bëri të ditur se do të investojë 1.5 milionë euro për sportin me të cilin krenohet, xhudon, dhe që i ka sjellë medalje të shumta Kosovës, duke e promovuar jashtëzakonisht shumë në arenën ndërkombëtare.
Ministri i Sportit, Kujtim Shala, u takua me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, me të cilin e kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, që ka të bëjë me ndërtimin e “Palestrës Kombëtare të Xhudos” në vendlindjen dhe vendbanimin e kampiones botërore, Majlinda Kelmendit, dhe kampionëve të tjerë të xhudos.
Trajneri i xhudos, Driton Kuka, e ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për investimin që do ta bëjë rreth ndërtimit të kësaj palestre në Pejë. “Është lajmi më i mirë i mundshëm për sportin, sidomos për komunitetin shqiptar të xhudos”, – ka deklaruar ai për mediat e Prishtinës.
“Projekti është shumë serioz, janë dëgjuar sugjerimet tona, po ashtu shuma e parave është serioze dhe gjithçka është në rregull, – ka vijuar Kuka. – Jam shumë i gëzuar. Dihet që kemi shkuar me investime tona me shumë telashe e vështirësi. Kështu që besoj se në të ardhmen nuk do të ketë më probleme.”
“I kemi fituar krejt medaljet e mundshme, por puna do të vazhdojë, – ka premtuar trajneri i Majlinda Kelmendit. – Tani i përngjajmë një shteti shumë serioz, sepse nuk kanë të gjitha shtetet “Qendër Kombëtare”, ndërsa për Kosovën kjo do të thotë shumë sepse dihet edhe gjendja ekonomike.”
“I jam shumë mirënjohës ministrit Kujtim Shala për realizimin e premtimit, po ashtu Kuvendit Komunal të Pejës dhe kryetarit”, – tha Kuka, i cili beson se brenda verës së vitit 2018 ky projekt do të ketë përfunduar së vëni në zbatim.