AlbanianSport.com 04.02.2017 10:05
ASNN – Turneu “European Judo Open” që mbahet këtë fundjavë në Sofje të Bullgarisë nuk vlerësohet prej garave më të mëdha të xhudos. Por, për xhudistet e Kosovës, që do të garojnë në Sofje, turneu që mbahet në kryeqytetin bullgar vlerësohet me peshë të madhe.
Kjo sepse është gara e parë ndërkombëtare për xhudistet e Kosovës në këtë vit. Në Sofje, Kosovën do ta përfaqësojë Nora Gjakova, në kategorinë e peshës trupore deri në 57 kg, Distria Krasniqi, në atë të peshës trupore deri në 52 kg, Fjolla Kelmendi në atë të peshës trupore deri në 48 kg, dhe Loriana Kuka, në atë të peshës trupore deri në 70 kg.
Për Nora Gjakovën, kjo është gara e parë individuale pas dëmtimit. Për Loriana Kukën është gara e parë për Kosovën dhe gara e parë serioze në nivelin të rriturash. Për Fjolla Kelmendin po ashtu është gara më e fortë në karrierë, ndërsa Distria përballë do të ketë rivale të nivelit të lartë.
Nora, Distria e Fjolla do të konkurrojnë të shtunën, ndërsa Loriana të dielën. Duhet theksuar këtu se kjo sportiste është mbesa e trajnerit Driton Kuka dhe, deri në fund të vitit të kaluar, ka garuar për Zvicrën. Nga gara në Sofje do të bëjë pushim kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi.