AlbanianSport.com 03.02.2017 22:05
ASNN – Që në themel të saj, AlbanianSport.com ka patur në zanafillë të saj idenë e një faqeje interneti, që më tepër sesa një media për të pasqyruar sportin, do të ishte një bashkësi ku sporti do të ishte aktor dhe faktor, një pikë referimi për çdo sportist, brenda dhe jashtë Shqipërisë, jo vetëm të futbollit, por çdo lloj sporti, pa asnjë paragjykim popullariteti.
Në vijim të këtij misioni që faqja jonë i ka vënë vetes, teksa është vlerësuar nga Federata Shqiptare e saj gjatë këtyre 2-3 sezoneve të fundit si partnere e saj në promovimin e këtij sporti, AlbanianSport.com ka shkuar tashmë një hap më larg, duke e mbështetur sportin në mënyrë aktive. Në këtë kuadër, AlbanianSport.com ka kënaqësinë të njoftojë se është bërë partner mediatik i “Top Tirana Open 2017”.
Ky turneu i përvitshëm i taekoundosë (në versionin “World”) premton që këtë edicion të tij të 6-të të shndërrohet në veprimtarinë më masive të arteve marciale në Shqipëri, me një pjesëmarrje masive, në kufinjtë e 600-700 konkurrentëve, nga afro 15 vende të ndryshme, dhe jo vetëm të Evropës. Këto janë disa prej risive që ofron edicioni i 6-të i taekuondosë “Top Tirana Open”.
Përveçse të shndërrohet në veprimtarinë më masive të arteve marciale në Shqipëri, synimi madhor është zyrtarizimi i këtij turneu si një veprimtari të njohur ndërkombëtarisht, siç janë turnetë “G1”, apo “Grand Prix” (Çmime të Mëdhenj), çka nënkupton se sportistët që garojnë në të përfitojnë edhe pikë olimpike. Edicioni i 6-të i “Top Tirana Open” do të zhvillohet në kryeqytet më 7 maj 2017.
Për të gjitha këto arsye, duke qenë të bindur se kjo është një sipërmarrje për t’u lëvduar e trajnerit dhe menaxherit të suksesshëm sportiv, Leo Kapri, dhe duke synuar të mbështesë gjithmonë më të mirët e sportit shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, apo edhe në Greqi, Itali e më gjerë, AlbanianSport.com është krenar të jetë partner mediatik i “Top Tirana Open 2017”.