AlbanianSport.com 03.02.2017 17:55
ASNN – Pasi e ka mbyllur me 3 prej skuadrave të saj kapitullin e Ligës Ballkanike, basketbolli i Kosovës rikthehet me javën e 17-të e të Superligës së meshkujve, që do të sjellë derbin e nxehtë në Mitrovicë, midis Trepçës dhe Pejës. Dueli i këtyre dy skuadrave pritet të sjellë rivalitet të madh të shtunën në parket në palestrën “Minatori”, duke nisur nga ora 18:00.
Të dyja skuadrat ishin pjesëmarrëse në fazën e parë të Ligës Ballkanike, madje në të njëjtin grup, por, ndërkohë që pejanët u kualifikuan, mitrovicasit, së bashku me Tiranën, u eliminua. Trepça vjen në këtë ndeshje pas disfatës së pësuar përballë Yllit, por edhe Peja ka pësuar humbje në shtëpi, përballë SIGAL Prishtinës. Peja shihet si favorite për të fituar në këtë përballje.
Por mitrovicasit do të mundohen të shfrytëzojnë terrenin vendës për të befasuar verdhezinjtë. Në duelet direkte deri më tani në këtë sezon, Peja ka triumfuar 3 herë, në kampionat dhe në Ligën Ballkanike, përfshirë edhe triumfin në ndeshjen e ndërprerë në Mitrovicë. Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, kampionia në fuqi e Kosovës, SIGAL Prishtina do të luajë ndaj “Prishtinës B” të dielën, në takimin që nis në ora 14:00.
Kryeqytetasit pritet që me lehtësi ta kalojnë pengesën e quajtur “Kerasan Prishtina”. Të dielën, do të zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Në Gjakovë, duke nisur nga ora 17:00, Rahoveci i përforcuar do të kërkojë të befasojë Yllin, që llogaritet favorit në këtë takim, në ndeshjen e cila zhvillohet në palestrën “Shani Nushi”. Ndërkohë, Bashkimi do të luajë në shtëpi ndaj Vëllaznimit, në ndeshjen që zhvillohet duke nisur nga ora 16:00.