AlbanianSport.com 02.02.2017 14:20
ASNN – Partizani është gati për gjysmën e dytë të sezonit, ndërsa ka shqyrtuar edhe mundësitë e përforcimit në merkato e dimrit. “Kemi marrë në provë disa lojtarë nga Ballkani, por që nuk na kanë bindur dhe i kemi kthyer mbrapsht, – ka theksuar trajneri Ylli Tomori. – Ne vazhdojmë përgatitjet me të njëjtin ritëm, pavarësisht se është ftohtë.”
“Realisht po stërvitemi në kushte shumë të këqija, ndriçimi i dobët, temperatura të ulëta. Megjithatë, kjo situatë është në gjithë Shqipërinë, jo se po e vuajmë vetëm ne”, – ka theksuar “arkitekti” i “demave të kuq”, të rikthyer në elitën e volejbollit shqiptar pas më shumë se një dhjetëvjeçari.
Edhe pse debutues, për trajnerin Tomorri objektivat janë të qarta: fitimi i trofeve kombëtarë. “Skuadra është e mirëstërvitur pa pushim, – ka thënë veterani i stolit të rrjetës shqiptare të meshkujve. – Gjendja e lojtarëve është shumë e mirë, janë optimistë. Kështu do të vazhdojmë deri në fund.”
“Natyrisht nuk do ta ndalojmë punën, – ka vijuar Tomori. – Do të rregullojmë të metat që mund të na dalin rrugës që në finalet e Kupës dhe në “play-off” të jemi të kompletuar në çdo aspekt”. Më 4 shkurt, të kuqtë do të luajnë në “Fahrie Hoti” ndeshjen e parë të fazës së dytë ndaj Tiranës vendëse, një sfidë e bukur derbi, e vlefshme për javën e 10-të.