Gjergj Vyshka 02.02.2017 13:25
Në kushtet kur Liga e Kampioneve në basketboll për meshkuj ka qenë pushim për t’u rikthyer javën e ardhshme, ndërkombëtari tjetër i basketbollit shqiptar, Gentian Cici, nuk është se ka mbetur pa ndeshje.
Ai ka gjykuar, për herë të dytë këtë sezon, në Euroligën e femra, teksa ka qenë në ndeshjen e vlefshme për grupin B, Burzh Basket-UMMC Ekaterinburg, që është mbyllur me shifrat 63-97 (14-23, 14-32, 12-18, 23-24).
Së bashku me të kanë qenë estonezi Tanel Suslov dhe polaku Janush Çalik, kurse vëzhgues Viktor Mas. Deri më tani Cici numëron 13 ndeshje në Ligën e Kampioneve për meshkuj, 4 në “FIBA Europe Cup”, po për meshkuj, si dhe dy në Euroligë.
Në total, janë plot 19 ndeshje deri më tani dhe një afirmim për të dhe për gjykimin shqiptar, aq më shumë që tashmë basketbolli ndodhet në prag të nisjes së pjesës së dytë të sezonit.