AlbanianSport.com 02.02.2017 12:30
ASNN – Federata Italiane e Futbollit, ka njoftuar se të hënën, më 6 shkurt 2017, do të dalin në shitje biletat e ndeshjes Itali-Shqipëri. Kjo sfidë luhet në 24 mars 2017, në Palermo, në stadiumin “Renzo Barbera”, me kapacitet 36 mijë vende. Shqipërisë i takojnë 5 % të biletave, pra rreth 2 mijë vende në sektorin e miqve. Çdo biletë kushton 12 euro.
Qytetarët shqiptarë, jo me banim në Itali duhet të aplikojnë për blerje vetëm nëpërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit. Italia dhe Shqipëria do të takohen në “Renzo Barbera” në kuadër të grupit G të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”. Ky është takimi i dytë mes dy vendeve pas miqësores së luajtur në Xhenoa më 18 nëntor 2014, dhe që u fitua nga vendasit 1-0.
Për përfaqësuesen italiane, Palermo konsiderohet si qytet me fat, pasi në të numërohen 13 takime të luajtura nga “Axurrët”, me një bilanc prej 11 fitoresh, 1 barazimi dhe vetëm një humbjeje. Italia ndodhet në krye të renditjes së grupit G, bashkë me Spanjën, me ga 10 pikë secila. Ndërsa Shqipëria mban në vendin e 4-t, pas Izraelit, me 6 pikë të grumbulluara në 4 takime.
Sa për histori, Stadiumi “Renzo Barbera” i Palermos është përuruar në vitin e largët 1932, sipas një projekti të arkitektit Xhovani Batista Santanxhelo. Ai i është nënshtruar disa herë rikonstruksionit dhe zgjerimit. Stadiumi ka qenë arenë e takimeve të rëndësishme futbollistike, si ato për grupin F në Botërorin “Italia 1990”, por edhe e koncerteve muzikore, si ato të Frenk Sinatrës, grupit “Duran Duran”, etj.