AlbanianSport.com 01.02.2017 19:50
ASNN – Vazhdon përgatitjet me një ritëm të lartë, ndonëse mijëra kilometra larg Shqipërisë, por asnjëherë nuk e humbet rastin të mbetet po aq aktive në rrjetet sociale. Kështu, në një postim në profilin e saj në “Facebook”, Gega shprehet e lumtur për mjedisin që ka gjetur në Kenia.
“Sa herë që vij në Kenia për stërvitje, më ndodh të jetë në këtë periudhe që përkon me “Discovery Cross Country”, një kros ky i cili ka që në 1991-shin që mbahet çdo vit në fund janari, – shkruan ajo. – Kjo veprimtari bëhet më shumë për zbulim talentesh. Të them të vërtetën, janë pa mbarim.”
“Marrin pjesë rreth 2,000 atletë, djem dhe vajza, duke filluar nga moshat e vogla deri tek ato të rritura, – vijon atletja shtatshkurtër. – Dhe këta nuk janë nga e gjithë Kenia, por nga zonat përreth. Është hera e 3-të që vij dhe e shikoj si veprimtari dhe kënaqem shumë.”
“Është diçka ndryshe kur ti shikon sportistë të nivelit më të lartë botëror deri tek ata që luftojnë shumë për të qenë me më të mirët. Ndoshta ndonjë menaxher do t’u ofrojë atyre të bëjnë gara nëpër botë, pasi ky është qëllimi kryesor i tyre”, – përfundon Luiza Gega, ndërsa e shoqëronte postimin e saj me një foto nga veprimtaria.