AlbanianSport.com 01.02.2017 17:05
ASNN – Përfaqësuesja e Kosovës në futbollin e sallës në dy ndeshjet e para korri fitore, pasi fillimisht mposhti Norvegjinë me rezultatin 5-1, ndërsa në takimin e dytë triumfoi 3-1 ndaj Qipros. Kosova do ta siguronte kualifikimit për fazën e ardhshme të eliminatoreve të “Euro 2018”-ës nëse do të sigurojë fitoren edhe ndaj Danimarkës.
Ndeshja e fundit do të zhvillohet të enjten, duke nisur ora 15:00 me orën lokale të Prishtinës dhe Tiranës. Përfaqësuesja e Kosovës, të cilës do t’i mjaftonte edhe barazimi për t’u kualifikuar, do ta ketë sonte një seancë stërvitore, ndërsa për ndeshjen e nesërme kanë folur disa nga futbollistët.
“Ne fituam dy ndeshje dhe presim edhe fitoren e tretë dhe të kualifikohemi për turin tjetër, – ka thënë Malush Qerimi, duke folur për faqen zyrtare në Internet të Fedetatës së Futbollit të Kosovës (FFK). – Do të angazhohemi sikundër bëmë në dy ndeshjet e para dhe të arrijmë suksesin e duhur e të arrijmë qëllimin.”
Ndërkaq, Nexhip Selimi ka thënë se në ndeshjen ndaj Danimarkës Kosova do të tregojë se dy fitoret e para nuk ishin të rastësishme. “Presim fitore, – ka shprehur ai besimin e tij. – Jemi të motivuar shumë dhe do të angazhohemi maksimalisht siç bëmë edhe në dy ndeshjet e para.”