Gjergj Vyshka 01.02.2017 07:00
Shtangisti shkodran: “Është turp kush të promovon ty, sepse kur flet për mua duhet ta dish se unë kam familje dhe heronj në këtë familje”. Intervista e Ilir Sulit dhënë emisionit “E hëna sportive” në Televizionin Shqiptar me drejtues Eno Skarço, botuar të martën në gazetën “Sport Ekspres”, nuk ka kaluar pa komente. Sepse ai që ka reaguar ndaj vendit të 5-të në Lojërat Olimpike “Sidnej 2000”, vendit të tretë në Evropianin e 2000-shit dhe nënkampionit të botës më 2002-shin, është Erkand Qerimaj.
Më së shumti më i prekur, sepse është sulmuar për shuarjen e konfliktit me presidentin Elez Gjoza, ndërsa janë përmendur pazare të pista mes të dy palëve. Por duke e ditur që karriera e Sulit nuk është aq e lavdishme, me shumë probleme në jetën e përditshme, edhe pse ka qenë i mirëvlerësuar nga qeveria e Fatos Nanos për titujt që pati marrë, Qerimaj përsëri ka sulmuar. Duke e quajtur si një model të keq për fëmijët shqiptar, një turp për ata që vazhdojnë ta kenë në qendër të vëmendjes.
Qerimaj nuk ka ngurruar t’i përmendë drogën dhe kumarin dhe, duket se shkodrani ka treguar se ka të tjera ambicie. Për transparencë “Sport Ekspres” po e boton statusin e shkodranit, ndërsa kështu peshëngritja vijon të mos kalojë momente të qeta, tashmë në akuza të dyanshme mes sportistëve. Gjë që nuk e bëjnë të mirë atmosferën, aq më tepër që peshëngritja shqiptare është në prag të veprimtarive të mëdha ndërkombëtare.
“Je modeli me i keq për fëmijët, shkruan Erkand Qerimaj për Sulin. – Është turp kush të promovon ty! Kur flet për mua duhet të dish se unë kam familje, kam heronj në familje që dhanë jetën për Shqipërinë. Unë kam modelet e duhura për t’i ndjekur. Unë mundin e djersën time e çoj në familje për të ndihmuar familje. Dhe gjithmonë mundi dhe djersa ime do të shkojë për diçka të vlefshme. Kush je ti e ku e gjen të drejtën të më sulmosh në media kur unë kërkoj mundin e djersën time?”
“Qëllimi im kryesor është të ngrejë flamurin përsëri në Evropë e botë, – ka vijuar peshëngritësi shkodran. – Qëllimet e tua nuk i di dhe nuk dua t’i di. Unë do të kërkoj gjithmonë të drejtën time dhe të sportistëve dhe do të jem gati për çdo çështje, gjithnjë kur ka çështje për të drejtat e sportistëve e, kur nuk ka, s’kam pse të bëhem unë kurbani!”