Gjergj Vyshka 31.01.2017 11:35
Eliza Dushku, aktorja shqiptare në Amerikë, do të jetë imazhi i Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira me precizion, që do të zhvillohet nga data 5, deri 14 maj 2017 në Vlorë. Për këtë arsye, Federata Shqiptare e Aeronautikës me president Renis Tërshana, drejtorin e veprimtarive, Alket Islamin, dhe Sekretarin e Përgjithshëm Arion Vreto, ka bërë prezantimin e Botërorit.
Një prezantim që është kryer tek “Reja” pranë Galerisë së Arteve në kryeqytet e që ka pasur vëmendjen e Ministres së Ekonomisë, Milva Ikonomi; Ministres së Kulturës, Mirel Kumbaro, Zëvendësministres së Arsimit dhe Sporteve, Nora Malajt; Kryetari të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj; Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, dhe Drejtorit të Sporteve në Ministrinë e Arsimit & Sportit, Vladimir Gjonaj.
Pa harruar praninë e Drejtorit të Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, ish-volejbollistit Bledar Doçi. E në fund është firmosur dhe Memorandumi i Bashkëpunimit mes Presidentit Tërshana dhe Ministres Kumbaro, sepse kjo veprimtari do të jetë dhe një promovim i vlerave të turizmit, kulturës dhe gjithçka që lidhet me Shqipërinë.