AlbanianSport.com 30.01.2017 17:05
ASNN – Kosova ka debutuar me fitore bindëse në fazën paraeliminatore të Kampionatit Evropian të 2018-ës në futbollin e sallës.
Përfaqësuesja e Kosovës mposhti bindshëm 5-1 Norvegjinë, në ndeshjen e parë të Grupit E, ku bëjnë pjesë edhe Danimarka e Qipro.
Fadil Goli shënoi i pari për Kosovën. Pas tij erdhi autogoli nga Espegren dhe goli i Oso Gjinovcit për të thelluar epërsinë në 3-0. Rezultati u ngushtua nga Ma’azuzi, ndërsa Ramadan Alaj u përkujdes për golin e katërt.
Në fund Goli shënoi edhe një herë për të përmbyllur fitoren bindëse. Në fazën e ardhshme të eliminatore kualifikohet vetëm fituesi i grupit. Ndeshjen e dytë, Kosova do ta zhvillojë të martën, duke nisur nga ora 17:30, kundër Qipros vendase.
Kurse ndeshjen e fundit do ta luajë të enjten kundër Danimarkës, nga ora 15:00. Kujtojmë këtu se për në fazën tjetër është kualifikuar edhe Shqipëria, e cila i fitoi të 3 ndeshjet e grupit të saj paraeliminator.