Gjergj Vyshka 30.01.2017 16:10
Arben Meçe është rizgjedhur dje në krye të Federatës Shqiptare të Pingpongut për herë të katër, ndërsa Asambleja Zgjedhore është zhvilluar në Hotel “Partner” në Vlorë. Për të zgjedhur drejtuesit e rinj kanë votuar 12 delegatë, që përfaqësonin 12 ekipe, të cilat ishin Flamurtari, Teuta, Përmeti, Elbasani, Skënderbeu, Burreli, Partizani, Vllaznia, Tirana dhe shoqata e gjyqtarëve.
Në punimet e Asamblesë Zgjedhore kanë marrë pjesë dhe Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, si dhe anëtari i Komitetit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Skënder Anxhaku. Në hyrje të asamblesë, Sekretari i Përgjithshëm Tonin Binoshaj ka folur për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, si dhe ka bërë përmbledhjen e të gjitha veprimtarive të një viti.
Ai e ka vënë theksin në pjesëmarrjen në 18 veprimtari ndërkombëtare për vitin 2016. Përpara fillimit të zgjedhjeve është nderuar me titullin “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Pingpongut trajneri i Flamurtarit, Edmond Gjoka. Po kështu me të njëjtin titull është dhe përfaqësuesja e Vlorës në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare të pingpongut, Anila Selimi.
Më pas, komisioni i verifikimit të mandateve me kryetar Pavllo Karaj i ka hapur rrugën votimit dhe numërimi. Dhe në përfundim me dhjetë vota, Arben Meçe është rikonfirmuar presidenti i pingpongut shqiptar. E më pas është bërë dhe zgjedhja e kryesisë, që ishte: Kostandin Çerekja 12 vota, Tonin Binoshaj 12 vota, Dritan Kruja 11 vota, Kujtim Macukulli 9 vota, Jetmir Shpuza 7 vota, Shkëlqim Hoxha 6 vota.
Nga asambleja është propozuar për sekretar të përgjithshëm Tonin Binoshaj, kandidaturë e cila duhet të miratohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.