AlbanianSport.com 30.01.2017 15:15
ASNN – Nuk ka zgjatur shumë të qenit “elektron i lirë”, por edhe me një gjyq 107-milionë-lekësh të fituar pak ditë më parë, sepse Gjergji Muzaka ka rigjetur një skuadër pas zgjidhjes së çështjes së kontratës më klubin e Tiranës.
Në orët e fundit, futbollisti arriti një marrëveshje me presidentin e Skënderbeut, Ardian Takaj për kalimin e tij te kampionët e vendit, lajm që është zyrtarizuar nga klubi korçar, nëpërmjet një postimi në profilin e vet në rrjetin social “Facebook”.
Për Gjergji Muzakën, ky është një rikthim në radhët e Skënderbeut. Më parë, ai është aktivizuar me këtë skuadër në sezonet 2011-2012 dhe 2013-2014. Gjatë periudhës që ka kaluar me korçarët, Muzaka ka luajtur 71 ndeshje, duke shënuar 20 gola.
Gjergji Muzaka është goditja e dytë e kampionëve të Shqipërisë në merkato e janarit. Më parë, skuadra korçare kishte siguruar edhe shërbimin e Nazmi Gripshit nga Teuta e Durrësit.