AlbanianSport.com 30.01.2017 14:20
ASNN – Ka kaluar një gjysmë sezoni për t’u harruar, por, duket se po shikon më në fund dritë në fund të tunelit. Ndonëse SIGAL Prishtina po vazhdon me ndryshime në përbërje, fitorja në derbi ndaj Pejës vlerësohet një fillim i ri për kampionen në fuqi të Kosovës në basketbollin e meshkujve.
Të shtunën në mbrëmje, pikërisht strofullën e saj, në “Karagaç”, Prishtina nuk i dha rast Pejës vendase dhe fitoi me shifrat 79-67 ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll për meshkuj. Trajneri i ri i Prishtinës, lituanezi Audrius Prakuraitis, u dha hapësirë të gjithë 11 lojtarëve që kishte në përbërje.
Porm për dy prej tyre, mund të ketë qenë ndeshja e fundit në fanellën e Prishtinës. Dy amerikanët që ishin në provë, Kërtis Li Dejvis dhe Kameron Forte nuk i kanë bindur drejtuesit e klubit dhe pritet të largohen shpejt. Dejvis shënoi 5 pikë për 6 minuta lojë, ndërsa 5 pikë realizoi edhe Forte, që luajti 10 minuta.
Drejtori i klubit kryeqytetas, Florian Miftari, ka bërë të ditur të dielën se dy lojtarët do të largohen. Kështu, tek SIGAL Prishtina do të mbeten Xhabari Hinds, për të cilin është përfolur një kalim në Hungari, Nenad Deliçi dhe Fukuan Eduini, që së fundi i është bashkuar skuadrës dhe nuk luajti ndaj Pejës. Të martën, Prishtinës i bashkohet edhe fundori Uilli Kemp, që luajti për skuadrën edhe edicionin e kaluar.