AlbanianSport.com 29.01.2017 16:35
ASNN – Rozher Federer mbetet një legjendë e përjetshme, teksa fiton turneun e 18-të “Grend Slem”, kundër rivalit të tij më të madh, Rafael Nadal. Pas mëse 3 orëve lojë dhe 5 seteve të luajtura, tenisti zviceran triumfon në Melbërn për të pestën herë në karrierë, tashmë në moshën 35-vjeçare.
Finalja e madhe, e shumëpritur nga të gjithë, ka një fitues, Rozher Federerin. Tenisti zviceran ka mundur, pas 3 orësh lojë, Rafael Nadalin, me rezultatin 3-2, në finalen e Turneut të Hapur Ndërkombëtar të Melbërnit, të njohur si “Australian Open”. Federeri, tashmë 35 vjeç, nuk e kishte fituar një “Grend Slem” që nga Uimbëlldoni i 2012-së.
Pas fitores të dielën në Melbërn, ai e çon në 18 numrin e turneve madhorë të fituar, duke e lënë Nadalin me 14. Të dy tenistët erdhën në këtë finale pas një periudhe pushimi të detyruar nga dëmtimet. Ata janë takuar për të fundit herë në 2011-ën, në finalen e “Roland Garro”-së në Francë.
Një ndeshje që mund të quhej disi më e lehtë për Federerin, pasi Nadali vinte pas 5 orësh lojë në gjysmëfinalen e luajtur me Dimitrovit. Por dukej se spanjolli nuk e ndjente aspak lodhjen. I mësuar tashmë me misione të pamundura, Nadali bën përpjekjet maksimale për të sfiduar Federerin.
Pas rezultatit 2-2, në setin e 5-të është dukshëm më i favorizuar tenisti zviceran. Çdo gjuajtje e tij është e saktë kundrejt gabimeve të Nadalit. Kështu Federer arrin të fitojë 6-3 setin e pestë dhe krejt ndeshjen 3-2, duke ngritur lart trofeun e turneut të Melbërnit për vitin 2017.