AlbanianSport.com 28.01.2017 17:05
ASNN – Ka mbetur padyshim skuadra që mban lart flamurin e shqiptarëve në një veprimtari rajonale të koshit, siç është Liga Ballkanike e Basketbollit për Meshkuj (BIBL), të dominuar nga klubet e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bullgarisë. Është Klubi i Basketbollit “Peja” ai e ka ruajtur nderin e basketbollit të Kosovës në veçanti dhe atij shqiptar në përgjithësi në Gadishull.
Verdhezinjtë janë kualifikuar në fazën e dytë të Ligës Ballkanike, atë çerekfinale, ndërsa 3 skuadrat tjera, SIGAL Prishtina, Bashkimi i Prizrenit dhe Trepça e Mitrovicës i kanë dhënë fund kësaj veprimtarie rajonale që në fazën e parë të grupeve. Ashtu sikundër ndodhi edhe me Tiranën, që, në 10 ndeshje, korri vetëm 3 fitore dhe pësoi 7 humbje, duke u renditur e fundit në të njëjtin grup me Pejën dhe Trepçën.
Pejanët e mbyllën fazën e parë si kryesues të Grupit A, falë 7 fitoreve e 3 humbjeve, ndërsa tanimë do të bëjnë pjesë në turin e dytë të Ligës Ballkanike, ku, në Grupin D, do të jenë së bashku me Kumanovën, Karposh Sokoli dhe Teodo. Siç ka njoftuar Liga Ballkanike, nëpërmjet një komunikate për shtyp, faza e dytë do të fillojë më 31 janar dhe do të mbyllet më 1 mars 2017.
Skuadrat më të mira nga dy grupet, C dhe D, do të kualifikohen direkt në gjysmëfinale, ndërsa ato që përfundojnë në vendin e dytë dhe të 3-të, do të luajnë në çerekfinale. Skuadra e fundit e të dyja grupeve do të eliminohet. Skuadra e mbetur e Kosovës në BIBL do ta nisë fazën e dytë më 1 shkurt 2016, me ndeshjen që do ta zhvillojë në Tivat, duke nisur nga ora 18:30, me KK Teodon.
Ndërkaq, duelin e dytë skuadra nga Rrafshi i Dukagjinit e luan në shtëpi, më 8 shkurt 2016, duke nisur nga ora 19:00, ndaj KK Kumanovo 2009. Pejanët kthehen në parket më 22 shkurt 2017, me ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës maqedonase, me ndeshjen që luhet duke nisur nga ora 19:00, në duelin e katërt e luan në Palestrën “Karagaçi” ndaj KK Teodos, më 1 mars, që gjithashtu nis nga ora 19:00.
Duke qenë se pejanët i kanë zhvilluar dy ndeshje me KK Karposh Sokolin 2000 në fazën e parë të grupeve, ata nuk do të luajnë në këtë fazë me këtë skuadër. Pejanët kanë një fitore dhe një humbje me këtë ekip. Verdhezinjtë do të mundohen të shkojnë deri në fund, për ta fituar titullin e parë dhe historik të kësaj lige, pasi një gjë të tillë e bëri ekipi tjetër kosovar, SIGAL Prishtina, në dy edicionet e fundit.