Gjergj Vyshka 12.11.2014 07:55
Stavri Nica është trajneri i ri i Mamurrasit, ndërsa që nga dita e djeshme ka marrë në dorë fatet e skuadrës, që sivjet, për herë të parë në historinë e futbollit të saj, pretendon të ngjitet në Kategorinë Superiore. Dhe ka të drejtë, pasi kjo skuadër, pas gjashtë javësh kampionat, kryeson së bashku me Besëlidhjen, Grupin A, me 16 pikë.
Dhe pas tyre është Tërbuni me 14 pikë në vendin e tretë. Në karrierën e tij si trajner, Nica ka qenë në krye të Teutës në sezonin 2003-2004. Më pas në krye të Besëlidhjes në sezonin 2007-2008, kohë në të cilën skuadra lezhjane luante në Kategorinë Superiore.
Por më fort i lidhur ka qenë me Laçin, teksa e ka drejtuar këtë skuadër për dy sezone radhazi 2009-2011. Jo vetëm kaq, por shënon dhe udhëheqjen e parë të skuadrës kurbinase në Kupat e Evropës, në ballafaqimi me bjellorusët e Dnjepër Mogilevit, 1-1 dhe 1-7.
Mandej ka drejtuar Apoloninë në sezonin 2011-2012. Dhe përsëri Laçin në sezonin 2012 dhe 2013, atëherë kur kurbinasit patën fituar për herë të parë në historinë e tyre Kupën e Shqipërisë. Madje e ka drejtuar Laçin dhe në përballjen me luksemburgasit e Diferdonzhit, ndërsa janë mundur dy herë 0-1 dhe 1-2.
E tashmë i mbetur pa pankinë ka zëvendësuar Ylber Zanin në krye të Mamurrasit në Kategorinë e Parë. Dhe duke përfituar dhe nga ndërprerja e kampionatit, Nica ka më tepër kohë për ta përshtatur skuadrën sipas skemave të tij.
Aq më tepër që ka dhe futbollistë, të cilët jo vetëm që kanë luajtur në Kategorinë Superiore, por dhe kanë fituar trofe. Përfundimisht, Stavri Nica është në krye të Mamurrasit në vend të dorëhequrit Ylber Zani, që është larguar drejt Kanadasë për rinovimin e pasaportës kanadeze.