Gjergj Vyshka 28.01.2017 12:05
Duket se “dueli” mes kampionit të Evropës në peshëngritje për vitin 2014, Erkand Qerimaj, dhe Presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka përfunduar paqësisht. Pas gati 10 ditë debatesh të ashpra, akuza të ndërsjella, lufte të ashpër edhe nëpër studiot televizive, Qerimaj dhe Gjoza e kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i ka bërë një vizitë Qerimajt, i cili të dielën e kaluar është bërë baba. E më pas janë ulur dhe kanë diskutuar gjatë e gjërë për të gjitha problemet dypalëshe, që pengojnë në ecjen përpara. Sipas Qerimajt, qëllimi është i përbashkët ngritja e flamurit në Kampionatin Evropian të Splitit në prill.
“Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, më erdhi për vizitë për lindjen e djalit dhe normal e mirëprita me kënaqësi, sepse si traditë familjare e kemi zakon të respektojmë e të presim me dashamirësi të gjithë njerëzit që na trokasin në shtëpi”, – ka rrëfyer shtangisti shkodran. – E kjo është si për gëzime, ashtu dhe për hidhërime.”
“Kur vizita mbaroi diskutuam për të mirën e Federatës dhe të gjithë Shqipërisë duke bërë çfarë është më e drejta që të ngremë sërish flamurin, – ka vijuar Qerimaj. -Sqaruam detyrimet sportistë-president. Besoj se të drejtat dhe detyrimet janë drejt zgjidhjes për të mirën e vendit tonë dhe për atë çka më takon mua.” Ndërkohë që, shumë shpejt, peshëngritësi shkodran do të marrë dhe ato që i mungojnë nga trajtimet ushqimore.
Por edhe ato çfarë ka shpenzuar për kurimin e shtyllës kurrizore. “Unë do të vazhdoj stërvitjen në Shkodër, – ka thënë kampioni i Evropës. – Presidenti më ka thënë që vazhdo e përgatitur për të marrë medalje, çfarëdolloj gjëje që do të kesh më telefono përpara se t’i bësh të ditura për mediat. Megjithatë në çdo moment jam gati prapë të mbroj të drejtat e mia ligjore, morale dhe shoqërore si sportist që dua ta bëj krenar vendin tim.”
“E nëse e shoh se më cenohet mundi dhe djersa ime do të jem më agresiv se asnjëherë tjetër më parë. Por besoj se e kemi gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, për të mirën e përbashkët”, – ka përfunduar shtangisti shkodran, Erkand Qerimaj, kurse kështu mendohet se peshëngritja shqiptare ra në qetësi.