Gjergj Vyshka 27.01.2017 18:00
ASNN – Me skuadrën edhe dje është parë të stërvitet kongolezi me pasaportë belge, Landri Muleno. Nga klubi i Vllaznisë nuk është se ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për fatin e tij. I pyetur për të, edhe pse trajneri Armando Cungu vazhdon të mbajë thuajse të njëjtin qëndrim duke shprehur rezerva për rolin që i është ofruar, zbulon se drejtuesit e klubit kanë kohë që e kanë federuar.
“Unë në fakt kam pritur që drejtuesit e klubit të kishin dalë ndoshta me një qëndrim zyrtar të klubit, – ka thënë ai. – Megjithatë tashmë e kanë bërë fakt të kryer që do të jetë pjesë e klubit. Natyrshëm që unë si trajner e kam dhënë mendimin tim dhe vazhdoj t’i qëndroj atij mendimi. Nuk e kam parë si një mbrojtës të mirëfilltë, pra nëse ka ardhur për një mbrojtës të majtë nuk e kam parë si të tillë që kryen mirë këtë pozicion.”
“Ka disa cilësi të mira për sa i përket momenteve kur ka topin në këmbë dhe drejtuesit kanë vendosur që mund të na vlejë në momente të caktuara, – ka vijuar Cungu. – Nuk e kanë quajtur blerje, por e kanë vlerësuar si një alternativë. Në këto kushte ju e shikoni që është pjesë e ekipit dhe shpresojmë që me ato cilësi që ka në dispozicion, mundet edhe të na shërbejë, pse jo.”