Gjergj Vyshka 27.01.2017 17:05
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), nëpërmjet presidentit të tij, Viron Bezhani, ka pranuar një hetim të shpejtë të kësaj çështjeje të dopingut që është ngritur midis të tjerash, gjatë këtij debati të ndezur në komunitetin e peshëngritjes. Nën akuzë është vënë ish-shtangisti, tashmë trajner, Luan Shabani, por, duket se ka një prirje për ta bërë atë “kokë turku”.
Ndërkohë mësohet Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është duke përgatitur me organet e tij të drejtësisë të ndërmarrë një hetim për këtë çështje deri në zbulimin e fakteve të tjera që do të zbulojnë përgjegjësit kryesor të saj. “Do të ndiqet deri në fund, vetëm në anën zyrtare”, – thotë Viron Bezhani, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
“Ne do të bëjmë maksimumin që të dalë e vërteta, – ka vijuar ai. – Ta stimulosh veten është e rëndë dhe kjo është më e rënda për sportin shqiptar.” Kësisoj, ndërsa në një farë mënyre duket se po shkon drejt shuarjes konflikti Qerimaj-Gjoza, peshëngritja shqiptare përsëri mbetet e tensionuar, tashmë me rihapjen e çështjes së dopingut pas dy vjetësh.