AlbanianSport.com 27.01.2017 16:10
ASNN – Për gjyqtarët e rinj të futbollit do të ketë procedura të reja pranimi. Fillimisht ata duhet të kalojnë disa teste, më pas do të trajnohen në kurset e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe do të shkojnë më pas edhe në akademinë e gjykimit.
Këto janë diskutuar gjatë takimit të organizuar të premten midis presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe kryetarëve të kolegjiumeve në rrethe. “Për t’u bërë gjyqtar futbolli, të gjithë do të kalojnë nëpër një sërë testimesh dhe filtrash të departamenteve të caktuara nga Federata”, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend.
Për të patur një kampionat futbolli, me ndeshje sa më korrekte, me vendime të sakta dhe të pakundërshtuara nga futbollistët, tifozët apo edhe i gjithë opinioni futbolldashës, do të ketë një përzgjedhje të përcaktuar mirë për gjyqtarët. Përveç testimeve ata do të kryejnë edhe një akademi gjykimi, e cila është në projektet e FSHF.