AlbanianSport.com 27.01.2017 14:20
ASNN – Në përgjigje të një pyetje për merkaton kuqeblu dhe nëse pret ndonjë dhuratë nga drejtuesit e klubit, trajneri Armando Cungu zbulon edhe mundësinë e veshjes kuqeblu të Elis Bakajt. “Nuk pres as edhe një dhuratë për mendimin tim, – ka thënë ai për mediat. – Përderisa nuk janë bërë deri më tani, nuk pres një gjë të tillë. Patëm një dhuratë përpara dy ditësh me një lojtar shumë cilësor, megjithatë kaq janë mundësitë e klubit tonë.”
“Nuk është se ka munguar dashamirësia e klubit për t’u futur në merkato, por nuk mund të futemi me shifra të tilla, – ka vijuar trajneri shkodran. – Lojtarët e mirë që bëjnë diferencën kushtojnë pak. Nëse duam të kemi lojtarë të cilët bëjnë diferencën dhe marrin përgjegjësi, natyrshëm që kërkohet të shpenzohet disa lekë, në të kundërt do të vazhdojmë kështu siç jemi.” Mund të dihet emri? “Po, – përgjigjet Cungu, – është shumë e thjeshtë, Elis Bakaj.”
“Besoj se të gjithë e njihni, nuk ka nevojë për ta bërë prezent këtu, – ka theksuar Cungu. – Është një lojtar i cili ka kontribuar jo vetëm tek Tirana shumë mirë, por edhe tek ekipet kombëtare dhe kështu që ka shprehur dëshirën për të qenë i gatshëm për këtë katërmujor të paktën të mbetur të sezonit. Është e pamundur për ta mbuluar ne aspektin financiar të tij, siç ishte edhe rasti i Cetkoviçit. Pra, e njëjta situatë pak a shumë është edhe me Bakajn.”