AlbanianSport.com 27.01.2017 10:40
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria Superiore, rikthehet sonte në fushën e blertë me takimin e parë të javë së 19-të të saj. Do të jetë sfida midis Vllaznisë dhe Kukësit që do të ngrejë siparin e gjysmës së dytë të sezonit, që nis me javën e parë të fazës së 3-të, nga 4 që ka gjithsej ky kampionat.
Përballja e mbrëmjes, që nis në ora 18:00 në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, vë përballë njërit-tjetrit vendasit, që mbajnë e 6-të të renditjes, me 21 pikë, me kryesuesen e dy fazave të para, Kukësin, që mban vendin e parë me 36 pikë, një më tepër sesa Partizani i vendit të dytë.
Të kuqtë kryeqytetas përballen të shtunën në Gjirokastër me Luftëtarin, në takimin që nis në ora 14:00 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Po duke nisur nga ora 14:00, luhen edhe takimet Korabi-Laçi dhe Skënderbeu-Flamurtari.
Java e 19-të mbyllet të shtunën në mbrëmje, me takimin që nis në ora 17:00, midis Teutës dhe Tiranës.