Gjergj Vyshka 27.01.2017 07:55
Për bardheblutë ka munguar për shkak dëmtimi amerikani Grifin Rame, ndërsa trajneri Nikola Milatoviç ka nisur të besojë më shumë tek të rinjtë. Peja në basketboll për meshkuj ka arritur fitoren e saj të shtatë në grupin B të Ligës Ballkanike, teksa të mërkurën në mbrëmje në Pallatin e Sportit “Karagaçi” ka mundur Tiranën, 96-72.
Skuadra vendëse ka luajtur mirë në pjesën e dytë dhe të tretë, atje ku ka vendosur dhe diferencën më të thellë të pikëve, që i ka siguruar dhe suksesin. Për trajnerin e Pejës, Aleksandër Todorov, skuadra ka luajtur sipas planit që kishte hartuar më parë në përgatitjet për ndeshjen ndaj Tiranës.
“Kemi marrë një fitore të rëndësishme, e cila na ka siguruar dhe vendin e parë në grup, – ka thënë trajneri Todorov. – Ky ishte objektivi ynë i parë, ndërsa shpresojmë të vazhdojmë me ndeshjet e mira edhe ndaj Teodos e Kumanovës për të siguruar kështu një vend në çerekfinale.”
Kurse për Arti Hajdarin, Peja ka treguar dhe një herë se e ka merituar kryesimin në grup. “Ndeshja me Tiranën na ka shërbyer edhe si një provë gjenerale për derbin në Superligën e Kosovës ndaj SIGAL Prishtinës”, – ka përfunduar ai.