ASNN – Në pritje të kësaj sfide shumë të rëndësishme me Kukësin, kuqeblutë zhvilluan dje seancën e fundit stërvitore në fushën e “Reshit Rusit”. Një seance e cila u ndoq nga afër edhe nga dy drejtuesit kryesorë të klubit “Vllaznia”, administratori Astrit Gjyrezi dhe drejtori sportiv, Eugent Zeka. Ndërkohë, trajneri Armando Cungu ka mbajtur edhe konferencën e shtypit të zakonshme një ditë përpara ndeshjes. “Atmosfera në skuadër një ditë përpara ndeshjes me Kukësin është e qetë”, – ka thënë ai.
“Është normale, jemi përgatitur gjatë të gjithë javës me mendimin se ndeshja me Kukësin duhet përfunduar me rezultat pozitiv, – ka vijuar Cungu. – Patjetër që do të synojmë për të fituar këtë ndeshje, pavarsisht se e dimë që nuk është e lehtë, sepse përballë kemi një skuadër që pretendon për titull “kampion”. Megjithatë edhe ne kemi mundësitë dhe potencialet tona, luajmë në fushën tonë dhe do të bëjmë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje.”
I pyetur se si ndjehet Cungu kur ndeshet me një skuadër në kushte jo të barabarta me kundërshtarin, si në merkato, ashtu dhe në përgatitje, ai përgjigjet: “Unë e kam theksuar edhe më përpara që në fillim të sezonit kur na janë kërkuar objektiva, – ka thënë ai. – Objektivat merren natyrshëm në bazë të kontingjentit që ke. Janë kërkuar objektiva shumë madhore, por kontingjenti ka qenë i vakët. Megjithatë, mund të them, se ekipi ka bërë një gjysmë sezoni të mirë.”
“Kemi qenë pothuajse gjysmën e sezonit në vendin e 5-të dhe, në dy javët e fundit, një pikë na u shkëput Luftëtari, – ka vijuar nr. 1 i stolit të Vllaznisë. – U renditëm në vendin e gjashtë, por mendoj se është bërë një sezon i mirë dhe maksimumi, si dhe kemi qenë brenda logjikës duke mos rrezikuar për asnjë moment për mbijetesën. Por merkato e janarit ishte e vakët duke pas parasysh që kundërshtarët, pothuajse të gjithë, madje deri edhe Korabi, kanë marrë 2-3 lojtarë duke u forcuar më shumë se sa ne.”
“Ka ekipe që kanë marrë një 11-tëshe krejt të re, siç është Laçi. Ne nuk ishim aspak aktiv në merkato dhe në këto kushte do të jetë shumë më e vështirë për Vllazninë. Unë kam qenë i kënaqur edhe me stërvitjet, edhe me seriozitetin e djemve. Kam besuar dhe vazhdoj të besoj tek këto djem për një sezon të mirë”, – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu.