AlbanianSport.com 26.01.2017 17:05
ASNN – Marrëveshja e arritur të mërkurën me ndërmjetësimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, në bazë të së cilës Tirana dhe Partizani do ta ndajnë së bashku Stadiumin “Selman Stërmasi”, deri në përfundimin e stadiumit të ri kombëtar të kryeqytetit, është shndërruar në “mollë sherri”.
Janë tifozët bardheblu, të cilët kishin paralajmëruar edhe më parë, duke u shprehur kundër kësaj marrëveshjeje, të cilët kanë reaguar sot. Ata kanë hyrë në Kompleksin Stërvitor “Skënder Halili”, gjatë kohës që Tirana duhet të niste stërvitjen, duke e bllokuar seancën që skuadra duhet të zhvillonte sot.
Në fakt, nuk kanë munguar as momentet e tensionuara, teksa tifozët kanë tentuar të godasin disa prejt futbollistëve të skuadrës. Megjithatë, gjendja është qetësuar, me tërheqjen e lojtarëve në dhomat e zhveshjeve dhe me largimin gradualisht të tifozëve bardheblu.
Sidoqoftë, seanca stërvitore e planifikuar për t’u zhvilluar sot, nuk është mbajtur, ndërsa mbetet për t’u parë sesi do të reagojnë tifozët në ditët në vazhdim.