Gjergj Vyshka 26.01.2017 13:45
Trajneri i kombëtares së futbollit të sallës, Erind Resuli, ka qenë më shumë se sa i kënaqur për kualifikimin, që është vulosur pas fitores së Bullgarisë, 6-1 ndaj Maltës. Sipas tij është një punë titanike që skuadra ka bërë në këtë periudhë. “Mos harroni, – thotë Resuli, – që ka qenë një përgatitje e fortë 10-ditore në Prishtinë, në minus 10 gradë Celcius, me dy seanca stërvitore në ditë. Po kështu dhe këtu.”
“Kemi 2-3 vjet që punojmë me këtë kombëtare dhe një ditë frytet do të vinin, – ka vijuar ai. – Mos harroni që kemi pasur një ndeshje shumë të vështirë me Bullgarinë vendëse, e cila në pjesën më të madhe të ndeshjes na ka luajtur me 5 lojtarë. Po kështu dhe Anglia. I kemi mundur, sepse ka vlejtur përkushtimi i këtyre djemve që kanë bërë gjithçka mirë në stërvitje.”
“Është kualifikim historik, disa herë i jemi afruar, por ky është rezultati më i madh që kemi arritur që nga 2004 kur kemi marrë pjesë për herë të parë”, – shton Resuli, duke folur për “Sport Ekspres”. Ndërkohë, nga data 3, deri më 12 prill 2017, kombëtarja e Shqipërisë në futbollin e sallës do të jetë përballë Azerbajxhanit, Hungarisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
“Kemi një shans të madh, që vendi i parë shkon direkt në finalet e Evropianit, kurse i dyti dhe i treti bëjnë “play-off”, – shpjegon ai. – Që do të thotë se do të përgatitemi seriozisht për një përfaqësim dinjitoz e pse jo dhe të synojmë më shumë. Për mua është shans që të gjithë lojtarët luajnë jashtë. Sigurisht që një kampionat cilësor i futbollit të sallës do të ishte e madhe për ne.”
“Por duke qenë lojtarë që luajnë jashtë, profesionist dhe me mentalitet fituesi mund të arrihet gjithçka. Dhe ne këtë kërkojmë”, – ka përfunduar trajneri i kombëtares së futbollit të sallës, Erind Resuli, duke folur për “Sport Ekspres” nga Varna e Bullgarisë.