AlbanianSport.com 26.01.2017 12:05
ASNN – Spanja, Sllovakia, Islanda, Estonia dhe Irlanda e Veriut do të jenë kundërshtarët e Shqipërisë në Eliminatoret e ardhshme të Evropianit të Nën-21-vjeçarëve. Shorti i hedhur sot ka vënë përpara skuadrën e trajnerit Alban Bushi me Spanjën e fortë, por edhe me një sërë skuadrash të tjera të cilat kërkojnë një njohje më të madhe në grupin dhe forcën që kanë.
Këtë e citon edhe vetë trajneri i Shpresave, Alban Bushi, për faqen zyrtare të FSHF-së, pak pas hedhjes së shortit. “Është një grup relativisht i vështirë, sepse janë skuadra të një niveli të lartë dhe sigurisht këtu është edhe vështirësia e mosnjohjes reale të nivelit të çdo kundërshtari, të paktën për momentin, – ka thënë ai. – Quhet grup i vështirë, por do të thoja, mbase i lehtë pas përfundimit.”
“Shpresoj shumë të na qëllojë si me Serbinë e Portugalinë kur kishim Eliminatoret e Evropianit të Francës, – ka vijuar ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi. – Të mërzitur në short, por të kënaqur në fund, dhe kështu mendoj dhe besoj edhe unë. Do përgatitemi për shumë beteja, dhe kam bindjen që do të bëjmë një grup ndeshjesh realisht shumë dinjitoze.”
“Pse jo, do guxojmë të kërkojmë maksimalen, edhe në këtë grup të vështirë”, – përfundoi trajneri Alban Bushi duke nga Zvicra, ku, së bashku me Drejtorin Denis Bastari, ishin të pranishëm në shortin e Eliminatoreve të Evropianit të kësaj grupmoshe.