AlbanianSport.com 26.01.2017 09:35
ASNN – Kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë në futboll, e njohur ndryshe si “Shpresat”, ka njohur kundërshtarët e grupeve, të vlefshme për Kampionatin Evropian 2019, faza finale e të cilit do të luhen në Itali dhe San Marino. 54 shtetet pjesëmarrëse janë ndarë në 9 grupe me nga 6 ekipe secila.
Kuqezinjtë, të ndodhur në vazon e katërt, shorti i ka vendosur në grupin 2. Kundërshtarët e kuqezinjve do të jenë Spanja, Sllovakia, Islanda, Estonia dhe Irlanda e Veriut. Ndërsa Kosova është pozicionuar në grupin 5, së bashku me Gjermaninë, Izraelin, Norvegjinë, Irlandën dhe Azerbajxhanin.
Sipas vendimeve të marra nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s disa skuadra nuk mund të luajnë me njëra-tjetrën, për shkak të konflikteve që kanë. Të tilla janë Spanja me Gjibraltarin, si dhe Kosova me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Për në fazën finale kualifikohen 9 të parat.
Ndërsa 4 të dytat e renditura më mirë në grup do të luajnë në “play-off” për të përcaktuar edhe dy finalistet e tjera. Këto do t’i bashkohen Italisë të kualifikuar si vend pritës, ndërsa San Marino, edhe pse vendi tjetër pritës, duhet të kualifikohet për në fazën finale.